Ministri Sveçla: E çuditshme se si një kriminel me 136 vepra mund të endet haptas i lirë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka qenë sot në stacionin policor në Ferizaj bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë.

Sveçla theksoi se është e çuditshme se si një kriminel me 136 vepra penale është endur i lirë dhe ka vazhduar të kryejë vepra të tjera. Ai tha se do ta hulumtojnë në detaje këtë rast.

“Është e çuditshme se si një kriminel me 136 vepra mund të endet haptas i lirë dhe të vazhdojë me shkelje të panumërta të ligjit. Unë kam qenë në stacionin policor ku kam pranuar një raport të autoriteteve të Policisë së rajonit të Ferizajt. Ne do ta hulumtojmë rastin në detaje, duke filluar nga vepra e parë deri te vepra e fundit se si ka ndodhur që sistemi i drejtësisë të dështojë në këtë përmasë tragjike për ne”, tha Sveçla.

Ai shtoi se bashkë me institucionet e tjera do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm që drejtësia të vihet në vend dhe që të parandalohen rastet e tjera të ngjashme në të ardhmen.