Familja shtatë anëtarëshe po jeton në kushte të rënda: Të vetmit “vizitorë” kanë ujqit

Po jetojnë në vetmi, e vizitorë të vetëm jo rrallë herë kanë ujqit që dalin nga mali. Mes varfërisë dhe mjerimit, Zamirja e Antoni po rrisin pesë vajzat e tyre. Veç kushteve të rënda, të dy këta po jetojnë me brengë se fatin e tyre do ta kenë edhe katër vajzat e tyre, që shoqëri të vetme të kenë cicërimat e zogjve.Shtëpia e tyre është pothuajse e vetmja në malin e fshatit Polan të Istogut.

Nuk janë të rralla rastet kur kryefamiljari Pjetraj, është detyruar t’i mbajë në shpinë për 10 kilometra fëmijët e tij, për t’i dërguar në shkollë, meqë rruga ka qenë pothuajse e pakalueshme. Askush nga anëtarët e familjes nuk është duke punuar aktualisht, e gjendja e tyre është e mjerueshme.

Me probleme të mëdha shëndetësore, mjerim të skajshëm, e skamje tash e sa vjet po përballen familja shtatë anëtarëshe në Polan të Istogut.Familja Pjetraj shumë herë pret mbrëmjet nën dritën e qiriut. Ka tash e sa vjet që “errësira”, ka pushtuar çdo cep të shtëpisë, e të rralla janë rastet kur i viziton dikush.Në pak këta metra katrorë, muret janë mbuluar nga myku e vlaga.

“Nuk punon askund, rrugën e kemi të keqe, fëmijët gjashtë herë duhet me i përcjell në shkollë, me i dergu e me i marrë. Malin e pat, dalin ujqit, edhe këtu shpesh herë vijnë, nuk guxojmë me i lën vetëm. Duhet me i përcjell se të vegjël, kanë frikë…Kur të bjen shi, e të bëhet lloq, me tri parë të mbathura duhet me shkua. Nuk e di, as nuk është në gjendje me punuar, as nuk është në gjendje fëmijët me i lën me shkua vetëm. As një sen tjetër pasha të madhin Zot, hiç, hiç, hiç. Nuk ka një që na i ngjet dorën, që me thënë, veç Zoti në qiell e këta në tokë”, rrëfen e zonja e shtëpisë.