Vuçiqi e kupton pas takimit me Merkelin se s’ka anëtarësim në BE pa e njohur Kosovën

Kancelarja gjermane Angela Merkel, shpreson që do të ketë përparim në fazën e re të dialogut Kosovë – Serbi. Ajo, pas takimit të sotëm që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, tha se “Kosova nuk do të zhduket nga agjenda dhe se disa çështje zgjidhen fare në fund procesit”.

Kështu iu referua njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Ajo nuk deshi të flasë nëse ky do të jetë kushti për Serbinë që të anëtarësohet në Bashkim Evropian. Por këtë e pati të qartë Vuçiqi.

“Jo të gjithë anëtarët e BE-së e kanë njohur Kosovën. Unë kisha një qasje pragmatike”, tha ajo në konferencën e përbashkët me Vuçiqin, të cilin e lavdëroi “si njeri të fjalës”. “Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para zgjidhjes së problemeve të tjera. Kjo çështje nuk do të zhduket, duhet të zgjidhet. Por unë jam për një rrugë ku të gjitha çështjet e tjera zgjidhen së pari. Shpresoj se do të kemi përparim të ri në procesin rreth Kosovës”, tha ajo.

Vizita e Merkelit në Ballkan është ndër të fundit si kancelarë gjermane. Ajo nesër do të vizitojë Tiranën, ku pos kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, do të takojë edhe kryeministrat e rajonit, përfshirë Albin Kurtin.

Ndërkohë, vetë Vuçiq e ka të qartë se nuk ka antarësim në BE, siç ka thënë ai, “pa u zgjidhur çështja e Kosovës”.

“Nëse pyetja është se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të hyjmë në BE pa e zgjidhur çështjen e Kosovës, atëherë absolutisht është e qartë kjo”, tha Vuçiqi, përcjellin mediat serbe.