Gjuriq drejtuar Albin Kurtit: Mos luaj me zjarr!

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq ka reaguar pas ngjarjeve të sotme në pikat kufitare Kosovë-Serbi.

Gjuriq kërcënoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke i thënë “të mos luajë me zjarrin para se të jetë vonë”.

“Regjimi i Kurtit në Kosovë po e shtyn rajonin në prag të gjakderdhjes. Dërgimi i forcave speciale të armatosura rëndë në zonat me shumicë serbe vetëm për të marrë pikë të lira politike në garën për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është kërcënuese për jetën dhe shkel të gjitha marrëveshjet. Ju lutemi ndaloni të luani me zjarrin para se të jetë vonë”, shkroi Gjuriq në një postim në Twitter.

Gjuriq akuzoi Qeverinë e Kosovës se po përdor armatim të vjedhur për t’i frikësuar serbët.

“Në vend që të angazhohet në një dialog konstruktiv me Beogradin dhe të punojë së bashku drejt një të ardhmeje normale për rajonin, qeveria në Prishtinë po përdor AK47 të vjedhur dhe APC të dhuruar për ta frikësuar popullsinë e saj serbe”, shkroi ai.

“Duhet t’ju vijë turp nga vetja, z. Kurti”, tha Gjuriq.