Mirë që Njësia Speciale e Kosovës do të tërhiqet, se një aksion i tillë në të ardhmen do të hasë në rezistencë edhe më të fortë nga ne.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në Bruksel për targat dhe e ka quajtur atë fitore për serbët.

Ka thënë se është gjë e mirë që Njësia Speciale e Kosovës, apo e shqiptarëve siç e ka quajtur ai, do të tërhiqet dhe ka shtuar se një aksion i tillë në të ardhmen do të hasë në rezistencë edhe më të fortë të popullatës serbe.

“E kem njoftuar faktorin ndërkombëtar, se në të ardhmen nëse KFOR-i nuk mbron serbët, do të dimë vetë t’o mbrojmë”, ka thënë ai, duke aluduar për futje të ushtrisë serbe në Kosovë.

Duke folur për targat, ka thënë se Beogradi ishte ai që insistoi për regjimin e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore.

“Do të vlejnë edhe targat e Serbisë të lëshuara për qytetet Mitrovicë, Prishtinë, Gjilan e Ferizaj. Ata që i kanë ato, e që janë rreth 9.000 vetura, do të mund të lëvizin lirshëm nëpër Serbinë qendrore dhe në veri të Kosovës, askush nuk do t’i pengojë e as nuk do t’ua marrë”, ka thënë Vuçiqi.

Ka thënë se në të ardhmen në rast të ngjarjeve të tilla, do të ketë reagim më të ashpër të serbëve.

“Është paraparë tërheqja e ROSU dhe kjo është dëshmi se në të ardhmen këso aksione të shqiptarëve do të hasin në rezistencë të popullatës serbe. Kthimi i KFOR-it bazuar në rezolutën 1244 është i rëndësishëm dhe kjo do të ofrojë siguri dhe garanci për serbët”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media.

Tash e 11 ditë rrugët që çojnë në Jarinjë e Bërnjak janë bllokuar nga serbët, të pakënaqur me masën e reciprocitetit të vendosur nga Qeveria e Kosovës për targat.

Nga 20 shtatori, veturat me targa të Serbisë, kur janë futur në Kosovë është dashur t’i marrin të përkohshme RKS, ndërkohë që këtë praktikë Serbia e ka tash e mbi 10 vjet.