Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin të drejtë Kosovës për reciprocitetin

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar, ka folur pas marrëveshjes së arritur për targat e automjeteve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Escobari, në një konferencë për media, ka thënë se Kosovën dhe Serbinë i pret një rrugë e gjatë në dialog, ndërsa shtuar se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të vendosë reciprocitet, por zhvillimet e fundit, siç ka thënë ai, i kanë zënë shumicën në befasi, transmeton Zeri.info.

“Është e drejtë e qeverisë së Kosovës për të aplikuar reciprocitet. Zbatimi i vendimit na zuri shumicën prej nesh në befasi, por kjo do të ndodhte dikur. Dhe jam i lumtur që ishim në gjendje të ulnim tensionet. Jam i kënaqur me përkushtimin e palëve dhe përkushtimin e Brukselit për gjetjen e zgjidhjes sa i përket situatës në veri. Me partneritetin që kemi me BE-në mund të ndihmojmë në tejkalimin e problemeve të trashëguara në Ballkanin Perëndimor nga vitet e ‘90-ta. Kemi rrugë të gjatë përpara në dialog, do të japim mbështetje të plotë për Lajçakun dhe ekipin e tij për një zgjidhje konstruktive”, ka thënë Escobari, i cili ka qëndruar për dy ditë në Bruksel gjatë zhvillimit të bisedimeve që kishin për qëllim shtensionimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shtoi se roli i KFOR-it nuk është të marrë kompetencat e autoriteteve vendore por që të sigurohet mirëfunksionimi i pikave kufitare. /Zëri