4 mijë familje do të bëhen me banesë me këste mujore prej 120 deri në 150 euro

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka bërë të ditur se gjatë mandatit të tij të parë, do e mundësojë pagesën e qirasë për katër mijë familje kosovare, shkruan Gazeta Blic.

Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve.

Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit.Fjalimi i plotë i Kurtit:
Fjala ime në takimin e komitetit këshillues për studimin e fizibilitetit për programin e banimit social në KosovëI nderuar Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, z. Liburn Aliu,E nderuar Kordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, znj. Ulrika Richardson,

I nderuar Udhëheqës i Zyrës dhe Krye-këshilltar teknik në UN-Habitat, z. Omar Siddique,

Të nderuara zonja Himaduna dhe Kocani (moderatore),Të nderuar pjesëmarrës e të pranishëm të tjerë,Është nder të jem pjesë e këtij takimi të Komitetit Këshillues të Projektit me qëllim diskutimin rreth Studim Fizibilitetit për Programin e Banimit Social në Kosovë – program ky jashtëzakonisht i nevojshëm.

Një shoqëri është aq e fortë sa hallka e saj më e dobët – e banimi te ne është hallkë bukur e dobët. Për të qenë edhe më keq se kaq, kjo hallkë ka mbetur jashtë syrit të debatit publik e prapa dorës së qeverive të kaluara.

Statistikat nuk tregojnë gjithçka, por nga to mund të kuptohet shumëçka. Të dhënat e fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se, për 90% të ekonomive familjare në Kosovë, shpenzimet e banimit dhe strehimit janë barrë. Për 53.4% janë barrë e rëndë madje. Vetëm për 10%-shin shpenzimet e strehimit dhe banimit nuk janë barrë.

Përveç barrës së sigurimit të banimit, kushtet e banimit janë sfidë serioze, e përditshme, e një numri tejet të madh të familjeve. Gati çdo e pesta familje në zonat urbane dhe gati çdo e katërta në zonat rurale ka probleme me kulm apo çati që rrjedh; mure, dysheme, themele të lagështa; korniza të dritareve dhe dysheme të kalbur. Hapësira e pamjaftueshme është sfidë në vete pastaj. Mesatarja e numrit të dhomave për anëtar është 0.85 dhoma, d.m.th më pak se 1 dhomë për person.

Shtëpia si vendi ku të gjithë e kërkojmë ngrohtësinë në fund të ditës, për shumë familje është e akullt. 40.2% e familjeve nuk janë në gjendje të përballojnë mbajtjen e shtëpisë të ngrohtë në mënyrë adekuate.

Ndërkohë që shohim të ndërtohen ndërtesa të reja shumëkatëshe në të katër anët e vendit, nuk mundemi pa e kujtuar paradoksin që kishte prodhuar kriza globale financiare e 2008-ës. Meqë një numër i madh i qytetarëve në ShBA nuk kishin arritur t’i përballonin këstet e kredive, ata ishin detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre të financuara përmes bankës. Dhe, meqë të ardhurat e shumë qytetarëve kishin pësuar rënie, kërkesa për të blerë shtëpi kishte rënë. Rezultati ishte një paradoks i trishtë: shumë shtëpi pa njerëz dhe shumë njerëz pa shtëpi.

Ndërsa ne, përveç që kemi shtëpi të zbrazëta dhe njerëz pa shtëpi, siç e pamë nga statistikat më herët, kemi edhe shumë njerëz që banojnë diku e disi por me shumë vështirësi. Shumë kategori shoqërore, si çiftet e reja, gratë kryefamiljare apo gratë që përjetojnë dhunë në familje, banimin e kanë sfidën kryesore. E për kategori tjera banimi joadekuat mund të jetë shpjegues i rëndësishëm i problemeve shëndetësore.

Duke i ditur këto dhe shumë probleme tjera, ne, si Qeveri progresiste, synojmë që të sigurojmë banim për të gjithë. Banimi për të gjithë nuk nënkupton vetëm kulm mbi kokë. Banimi për të gjithë nënkupton kushte të dinjitetshme për jetesë. Banimi për të gjithë nënkupton hapësirë të mjaftueshme, ngrohtësi gjatë dimrit e freski gjatë verës, mundësi e zhvillimit të një jete të re. Nënkupton qetësi e privatësi brenda, bashkëjetesë e komunitet jashtë.Si fillim, gjatë fushatës kemi prezantuar planin e sigurimit të banimit të përballueshëm. Ky plan është konceptuar për shumë kategori shoqërore dhe grupe profesionistësh. Ky plan i dedikohet çifteve të reja, grave kryefamiljare por edhe shërbyesve publik si arsimtarëve, infermierëve, policëve, zjarrfikësve apo edhe administratës publike.

Gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4 mijë familje.

Kjo do të arrihet përmes programit “120×120” dhe “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 120 respektivisht 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit.

Ky është vetëm një fillim. Sepse e kuptojmë edhe nevojën e rëndësinë e madhe që ka banimi, e sidomos ai social për të cilin po diskutojmë këtu. Përderisa banimi është domosdoshmëri për familjen, banimi social është hallkë e rëndësishme për shoqërinë sepse ai konstituon komunitetin. Ndarja e hapësirave të përbashkëta nënkupton më shumë mundësi për njohje e komunikim me njëri-tjetrin, më shumë mundësi për afrim mes njerëzve. Sot kur vetmia cilësohet si një prej dëmtuesve më të mëdhenj të shëndetit mendor e rrjedhimisht fizik, solidariteti e afërsia mes njerëzve bëhet gjithnjë e më e nevojshme.Si Kryeministër i Republikës së Kosovës dua t’ju siguroj që qasja jonë në këtë dhe mandatet tjera do të jetë progresiste. Ta bësh Kosovën të jetueshme do të thotë ta bësh Kosovën të banueshme.

Nuk do ta lëmë askë prapa, nuk do ta lëmë askë jashtë. Do të sigurojmë banim për të gjithë. Jo vetëm strehim, por banim të dinjitetshëm. Individual e social. Për familjen. Për komunitetin. Për shoqërinë. Për Republikën. Ju falemnderit.