Pacolli: koha që UNMIK-u të shkoj në shtëpi, punët MIRË i kemi me Rusinë?

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, UNMIK-u kishte narracion të plotë të Serbisë për Kosovën.

Ai ka përmendur se në 2019, Kosova e ka deklaruar Persona Non Grata, një pjesëtar rus të UNMIK-ut për përkrahjen e strukturave paralele, prandaj ka kërkuar që Kosova ta ndërpres bashkëpunimin me misionin e UNMIK-ut.

“Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, UNMIK-u kishte narracion të plotë të Serbisë për Kosovën. Në 2019, Kosova deklaroi Persona Non Grata, një pjesëtar rus të UNMIK-ut për përkrahjen e strukturave paralele dhe për krijimin e pengesave ndaj policisë. Kosova duhet të ngrijë bashkëpunimin me këtë mision plotësisht”, ka thënë Pacolli.

Ai poashtu përmendi edhe Sekretarin Gjeneral të OKB-së, Antonio Guterres që refuzoi të takohet me zyrtarët e Kosovës sikur paraardhësit e tij.

“Në OKB, Sekretari Gjeneral, Antonio Guterres ka refuzuar të takohet me zyrtarët e Kosovës duke e prishur traditën e paraardhësve të tij. OKB-ja ka një mision të vjetëruar në Kosovë që nuk bën asgjë dhe që shpenzon buxhetin e tyre për çështje të panevojshme që janë jorelevante për Kosovën. Koha të shkojë në shtëpi”, ka thënë Pacolli.