Jashari: Të turpëruar duhet të ndihen ata që morën peng votën e qytetarëve, ne jemi fitues të vërtetë të zgjedhjeve

Kandidati për kryetar të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar sërish pas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e së dielës.

Jashari i cili sipas rezultateve të deritanishme u radhit i dyti, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen e dhënë, teksa ka akuzuar ashpër PDK-në për manipulim votash, transmeton Telegrafi.

“Të dashur qytetarë, mbështetës të Idealit tonë të përbashkët, ju faleminderit mijëra herë nga zemra për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur gjatë qeverisjes sime 4 vjeçare, duke realizuar së bashku qindra projekte milionëshe që kanë ngritur mirëqenien e qytetarëve të Skenderajt dhe të cilat do të mbahen mend gjatë nga të gjithë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që me vullnetin më të madh, pavarësisht shumë sfidave, me angazhim maksimal bashkë me qytetarët instaluam një qeverisje të mirë dhe transparente, një standard të ri të qeverisje për qytetarët tonë”, ka deklaruar ai.