E gjuajti 22 herë por nuk e qëlloi, ja pse ndodhi kjo ngjarje në Shqiptari

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka bërë kërkesë në Gjykatën kompetente në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj dy të pandehurve , L.B., dhe E.B., me dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”.

Prokuroria njofton se, më 30 tetor 2021, në fshatin Shkozë, Komuna e Malishevës, i pandehuri L.B., me dashje tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin A.B., pas një konflikti të mëhershëm lidhur me një kontest civil.

“Derisa i dëmtuari ishte duke punuar tokën e tij, i pandehuri L.B., nxjerr armën dhe gjuan në drejtim të tij 22 herë, por nuk arrin ta qëllojë. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Po ashtu, i pandehuri L.B., pa autorizim, ka mbajtur armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me çka ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragraf 1 i KPRK-së.

Ndërsa i pandehuri E. B., me datë, kohë dhe vend të njëjtë, me dashje ka ndihmuar të pandehurin, vëllain e tij, L.B., në kryerjen e veprën penale, duke pasur marrëveshje paraprake, ku më pas së bashku kanë ikur nga vendi i ngjarjes. Me këto veprime ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe me nenin 33 të KPRK-së.

Prokurori i rastit ndaj dy të pandehurve ka bërë kërkesën për caktimin e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe të njëjtit me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga data 30 tetor 2021”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.